Valon Bela

Për ta bërë botën më të mirë, të gjithë revolucionarët besojnë vetëm në vullnetin e tyre. Në anën tjetër, demokracia ndërtoi opozitën.
Rruga deri tek objektivi arrihet edhe përmes të mirës edhe përmes të keqes, edhe përmes engjëllit edhe përmes dreqit. Krejt varet nga cila anë qaseni.

Manipulimi i masave përmes temave që prekin ndjenjat e tyre është gjithashtu punë e dreqit. Kur jemi te manipulimi, përdorimi i religjionit për të fituar sa më shumë ndjekës dhe përkrahës është gjithashtu punë djallëzore. Sidomos kur politikani që përdor fenë nuk është fare praktikant dhe nuk ka njohuri mbi fenë prandaj edhe është manipulator.
I bindur se ndjenjat fetare janë jashtëzakonisht të fuqishme, politikani manipulator mendon se përdorimi i tyre do t’i siguron fuqizim të mëtejmë të përkrahjes.
Pavarsisht se kjo qasje është shumë e përkohshme dhe si e tillë është edhe e rrezikshme. Sepse nga keqpërdorimi i tillë përveç përplasjeve nga politike deri te ato fizike, ky veprim sjell edhe dështimin në ngritjen e besimit qytetaresk ndaj partive, institucioneve dhe sidomos ndaj proceseve. Vlen të theksohet se shqiptarët edhe ashtu e kanë problematike daljen masive nëpër ciklet zgjedhore dhe paramendoni si do ndikojë më tutje edhe një zhgënjim i radhës ?!

Dhe kur jemi te shqiptarët në Maqedoni, dalshmëria në zgjedhje është një nevojë jetike për fuqizimin e jetës politike pasi që përballë kemi maqedonasit që shquhen për ‘zgjedhje skandinave’ për një dalshmëri deri në 70 për qind të votuesve vendorë. Dmth: Përdorimi i religjionit për pikë politike nga njerëz mediokër dhe hipokritë herëdokurdo sjell dëshpërimin e që krejt kjo rezulton edhe mospjesëmarrjen e qytetarëve në zgjedhje, debate publike, iniciativa dhe aktivitete të ndryshme etj.
Dhe me të drejtë shtrojmë pyetjen: kujt i shërben kjo ? Politikanit mediokër dhe kauzës së tij, dreqit apo të dyve ?