Kuvendi Popullor francez pasdite me shumicë të madhe e miratoi Ligjin për luftë kundër terrorizmit.

Për Ligjin votuan 415 deputetë, 127 ishin kundër, derisa 19 ishin të përmbajtur. Pritet ligji të hyjë në fuqi nga mesi i këtij muaji.

Votimi u mbajt me debat të ashpër dhe vetëm dy ditë pas vrasjes së dy të grave të reja në stacionin hekurudhor në Marsej. Sulmuesi u vra nga ana e ushtarëve. ndërsa përgjegjësinë për sulmin e ndërmori grupi Shteti Islamik (SHI).

Sipas Qeverisë, Ligji është “përgjigje e qëndrueshme e kërcënimit të qëndrueshëm”, por teksti hasi në kritika nga e majta si “sulm mbi liritë”.

Me këtë Ligj duhet të mundësohet zbatimi i disa masave nga gjendja e jashtëzakonshme, të vendosur nga Qeveria paraprake pas sulmeve më 13 nëntor të vitit 2015. Gjendja e jashtëzakonshme, e cila autoriteteve u jep autorizime të jashtëzakonshme, duhej të jetë vetëm masë e përkohshme, por është vazhduar gjashtë herë për shkak të sulmeve dhe kërcënimit të vazhdueshëm nga terrorizmi.

Mes dispozitave më kontroverse të Ligjit është mundësia pa kontroll të vendoset i dyshuari në paraburgim shtëpiak. Nga ana tjetër, prej tani do të nevojitet urdhër gjyqësor për kryerjen e “vizitave shtëpiake”, të cilat i zëvendësojnë “bastisjet administrative” të deritanishme.

Është paraparë të zgjerohen edhe mundësitë për kontrolle të identitetit – ata të lejohen rreth stacioneve ( e jo vetëm në objekte si deri më tani), si dhe në radius prej 20 kilometrave rreth porteve dhe aeroporteve.