Ligjvënësit e Parlamentit Evropian (PE) votuan për një mocion që dënon ngacmimet seksuale duke apeluar për një “forcë pune të ekspertëve të pavarur” për të shqyrtuar akuzat për ngacmimet dhe abuzimet seksuale brenda Parlamentit, raporton Anadolu Agency (AA).

Ky votim pasoi një ditë pasi ligjvënësit debatuan mbi abuzimin seksual brenda PE-së, pasi mediat raportuan disa raste të përdhunimit, sulmeve dhe ngacmimeve kundër deputetëve.

Gazeta “Politico Europe” raportoi se deri më tani ka mbledhur dëshmitë e 87 grave dhe gjashtë burrave që vijnë veçanërisht nga asistentët e rinj dhe praktikantëve.

Rezoluta, e miratuar me 580 vota pro, 10 kundër dhe 27 abstenime, i bën thirrje Parlamentit që “urgjentisht të shqyrtojë akuzat e kohëve të fundit për ngacmimet dhe abuzimet seksuale, të bëjë trajnime të detyrueshme për të gjithë stafin dhe anëtarët për respektin dhe dinjitetin në punë, të mbajë një regjistër konfidencial të rasteve, të krijojë një forcë pune të ekspertëve të pavarur dhe të përmirësojë procedurat formale dhe mbështetjen për viktimat në procedurat brenda Parlamentit Evropian”.

Në këtë rezolutë gjithashtu theksohet që “shtetet anëtare poashtu duhet të shqyrtpjnë situatën në parlamentet e tyre kombëtare dhe të marrin masat e duhura”.

Debati për ngacmimin seksual u shfaq në fillim të këtij muaji, pasi disa gra akuzuan producentin e Hollywood-it, Harvey Weinstein, për sulm seksual, duke arritur në disa raste përdhunimin.

Që atëherë, disa viktima, kryesisht gra, pushtuan rrjetet sociale me përvojat e tyre personale të ngacmimeve dhe abuzimeve seksuale me hashtagun #MeToo.