Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, pritet të fillojë një turne diplomatik gjatë kësaj jave, shkruan Gazeta Express.

Burime nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë bërë të ditur se kryediplomati kosovar fillimisht do të vizitojë Maqedoninë, për të vazhduar më pas me vizita zyrtare edhe në disa shtete të tjera të rëndësishme.

“Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm Pacolli do të vizitojë Maqedoninë gjatë kësaj jave dhe më pas vazhdon edhe në disa në shtete të tjera të rëndësishme. Detajet e këtij turneu dipomatik të ministrit të jashtëm Pacolli do t’i japim gjatë ditëve në vijim”, kanë konfirmuar zyrtarë nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Gjithashtu, mësohet se qëllimi kryesor i këtij turneu diplomatik është ri-konfirmimi i marrëdhënieve të mira dy-palëshe në mes Republikës së Kosovës dhe këtyre vendeve si dhe shprehja e përkushtimit për thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të tyre.

Vizita e Pacollit në Maqedoni është e treta ndaj vendeve fqinje, pas asaj në Shqipëri dhe Mal të Zi, që u zhvillua pak ditë pasi që ai pranoi detyrën zyrtare si Ministër i Jashtëm.