Shefi i shtabit zgjedhor të BDI-së në Çair, Bujar Osmani ka thënë se BDI është fitues i pakontestueshëm i zgjedhjeve tek elektorati shqiptar. Sipas tij BDI dëshmoi se është partia më e madhe dhe më autentike e cila mbron interesat kombëtare në Maqedoni.

“Çairi u bë përsëri blu dhe BDI u shndërrua në parti të parë për fitore në këshillin e komunës dhe Këshillin e qytetit dhe të komunës së Çairit me profesorin Visar Ganiu. Jemi partia e parë në Çair dhe me 9 këshilltarë dhe kështu rikthejmë Çairin.

Ne e morëm mesazhin në votimet e zgjedhjeve të kaluara, sollëm një energji të re, hartuam një program të shkëlqyer dhe kandidat që vështirë mund t’ia gjeni një njollë në vijën e tij profesionale. Koalicioni jonë në nivel komunal për Çairin dhe qytetin e Shkupit ka qenë i hapur dhe transparent. Koalicionet bëhen mbi bazë programesh, dhe jo prapa skenave si që bëjnë të tjetër”, ka thënë Osmani në pres konferencën e sotme.