Rrethi i dytë i zgjedhjeve lokale në Maqedoni është zhvilluar kryesisht në atmosferë demokratike, dhe mos përjashtuar edhe disa parregullsi, si presione ndaj votuesve dhe blerje të votës, kështu thuhet në vlerësimin e misionit vëzhgues OSBE-ODIHR për balotazhin e ditës së diel. Përkundër kësaj, dita e zgjedhjeve është menaxhuar mirë dhe nxjerrja e rezultateve ka qenë efikase dhe transparente, vlerëson Auderey Glover, Ambasadore e OSBE-ODIHR në Shkup. Sipas saj, në disa komuna janë vërejtur tensione jashtë vendvotimeve për shkak të prezencës së aktivistëve partiak, të cilët në disa raste ushtruan presion ndaj votuesve, me çka në disa raste rezultoi edhe në blerjen e votave.

Në këto zgjedhje kemi evidentuar dhe kemi vërejtur blerje të votave, fotografim të votave duke mos përjashtuar edhe votimin familjar. E kemi vërtetuar këtë në disa vende dhe sigurisht policia është duke i proceduar këto raste. Sa i përket çështjes së dhunës, raste të tilla nuk kemi vërejtur. Ne kemi parë fotografi të tilla por në ato nuk ka asgjë të qartë për ne që të verifikojnë dhunën. Megjithatë ne nuk jemi polici zgjedhore. U takon partive që të denoncojnë këto akte me prova në institucione – deklaroi Audrey Glover, Ambasadore e OSBE-ODIHR-së.

Për KSHZ-në, ambasadorja Glover shtoi se ka përmirësuar transparencën ndërmjet dy rretheve zgjedhore, por komenti negativ ishte mos përditësimi i listës, si pasojë e së cilës votuesit e moshës 18 vjeçare dhe 900 të burgosur mbetën jashtë listës zgjedhore.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor e ngriti transparencën e punës së tij ndërmjet dy rretheve zgjedhore, megjithatë nuk e përditësoi listën me cka në fakt iu pamundësua e drejta e votës atyre që kanë mbushur 18 vjet gjatë kesaj përiudhe dhe rreth 900 të burgosurve – tha Audrey Glover, Ambasadore e OSBE-ODIHR-s.

Glover e komentoi si normale mbështetjen e kandidatëve të BDI-së nga LSDM, duke pasur parasysh se të njëjtit bashkë qeverisin në nivel republikan. Ndërsa akuzat e VMRO-DPMNE-së për dhunë, Ambasadorja e OSBE-ODIHR i quajti pretendime pasi që të njëjta nuk janë të vërtetuara ende nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe nga Komisioni Shtetërorë Zgjedhor./alsat-m