Vazhdojnë kritikat ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe gjuhës së tij ndaj BE-së. Deputetë opozitarë në Kuvend kanë filluar ta shohin si rrezik për vendin presidentin, derisa analistët e quajnë të frustruar e idhnak.

Deputeti i opozitës në Kuvend, Driton Selmanaj, thotë se krejt këto deklarime të fundit të presidentin janë më shumë për të rehabilituar figurën e tij të degraduar.

Ndërkaq, deputetja e Vetëvendosjes, Shqipe Pantina, thotë se krejt deklaratat e fundit të presidentit kundër BE-së, tregojnë se si është djegur nga lojërat e pista që ka bërë deri tash.

Ndërsa, analisti Imer Mushkolaj pohon se Thaçi po tregohet i frustruar, idhnak e përgjegjësinë e vet po mundohet t’ua hedhë të tjerëve.

Javën e shkuar presidenti Hashim Thaçi kishte deklaruar se Kosova e ka pranuar themelimin e Gjykatës Speciale me kusht që të ruajë raportet me partnerët ndërkombëtarë, derisa tha se u tradhtua nga BE-ja që i kishte premtuar Kosovës liberalizim vizash.

Ai shkoi më tutje duke kërkuar nga Shqipëria që t’u jepte kosovarëve shtetësi në mënyrë që të lëvizin lirshëm në Evropë.