Sipas radios “Onda Cero”, ndeshja mes Gironës dhe Real Madridit mund të shtyhet për një datë të pacaktuar, pasi Katalonia shpalli Pavarësinë.

Aprovimi nga Parlamenti katalanas i Pavarësisë nga Spanja dhe Kushtetuta spanjolle do të kenë një efekt të pashmangshëm edhe në sport.

Tensionet mes mbështetësve të pavarësisë dhe qeverisë qendrore do të reflektohen mbi të gjitha në ndeshjet e fundjavës në La Liga, në veçanti në ndeshjen e futbollit Girona – Real Madrid.

Sfida e programuar të zhvillohet në qytetin katalanas ka rrezik të shtyhet për një datë tjetër, pavarësisht se numri një i La Ligas, Javier Tebas, deklaroi të kundërtën për AS, menjëherë pasi Parlamenti i Katalonisë shpalli Pavarësinë.

Si të mos mjaftonte klima e tensionuar në aksin Kataloni – Madrid, Reali do të zbarkojë në Girona në kulmin e programit për ditën e “Sant Narcis”, një festë tradicionale e provincës, teksa nuk do të udhëtojë me autobusin zyrtar, por me vetura anonime.

Hoteli ku do të qëndrojnë lojtarët e “Los Blancos” do të jetë i blinduar nga forcat e policisë.

Sipas radios “Onda Cero”, hipotezat për të shtyrë ndeshjen, për të evituar përshkallëzimin e situatës, po marrin formë reale nga ora në orë.

Sfida është paraparë që të zhvillohet të dielën nga ora 17:15, por gjithçka mund të ndryshojë nga çasti në çast.