Reforma në sistemin e drejtësisë shqiptare, për ekspertin e nivelit të lartë Artan Hoxha, ka qenë një proces i vështirë nga pikëpamja profesionale, politike e për pasojë janë reflektuar edhe mangësi në zbatim

“Është një lloj stepjeje që në një farë mënyrë është edhe objektive, por mosfunksionimi i organeve të Vettingu-t ka bërë që të mos ketë ecje të pjesët e tjera të reformës, si për shembull krijimi i KLGJ-së, KLP-së, përveç verifikimit të gjyqtarëve, sepse kandidatët që do të jenë nga pjesa e gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të formojnë këta dy këshilla, duhet të verifikohen nga organet e Vettingu-t. Moskrijimi i këtyre dy organeve është një defekt në disiplinimin dhe në përcaktimin dhe zhvillimin e karrierës respektive të gjyqtarëve dhe prokurorëve”

Këto komente z.Hoxha i ka bërë në një intervistë për Vizion Plus

Hoxha, eksperti është marrë drejtpërdrejt me hartimin e ndryshimeve kushtetuese në funksion të reformës, thekson se rëndësi merr krijimi dhe funksionimi i organeve bazë të sistemit të ri të drejtësisë.

“Ajo që ndikon në ecurinë e reformës është krijimi i KLGJ-së, KLP-së dhe për pasojë riorganizimi i gjykatave dhe në veçanti krijimi i strukturave kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, Prokurori i posaçëm, dhe krijimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, apo njësia e posaçme hetimore krah prokurorit, për të hetuar dhe gjykuar zyrtarët e lartë, si dhe ato vepra që konsiderohen të rëndësisë së veçantë për ecurinë e Shqipërisë”

Ligji i Vetting-t ka qenë objekt i goditjeve ligjore në Gjykatën Kushtetuese, e cila më parë ka rrëzuar kundërshtinë e opozitës, dhe ndërkohë po shqyrton ankimimin e Unionit të Gjyqtarëve. Hoxha beson se Kushtetuesja do të sillet në mënyrë vizionare.

“Nëse Gjykata Kushtetuese do të sillet si një Gjykatë e zakonshme, defekte reforma ka. Një reformë kaq e gjerë të pretendosh se nuk ka defekte, është joreale. Por po të jetë se do merremi me defektet dhe nuk do merremi me atë që është thelbësore në reformë, atëherë mund të krijohen probleme nga vendimmarrja gjyqësore, sepse ky është një cikël i mbyllur, që ligjet miratohen, por ligjet edhe verifikohen. Dhe verifikimi që bën Gjykata Kushtetuese mund të na kthejë jo në pikën 0 (zero), por mund të na kthejnë në situata të cilat e vështirësojnë ecurinë e procesit”

Në fillim të javës, Gjykata Kushtetuese mësohet se do të mblidhet për diskutuar dhe me shumë gjasë për të marrë një vendim mbi ankimimin e Unionit të Gjyqtarëve.