Gjykatat amerikane kanë filluar t’i trajtojnë rastet e drogave nga këndvështrimi i shëndetit publik, në përpjekje për të ndihmuar ata që kanë krijuar varësi ndaj ilaçeve kundër dhimbjeve, të njohur si opioide, të fillojnë një jetë të re. Fushata synon shkëputjen e tyre nga varësia e këtyre ilaçe me përbërje narkotike si dhe pushimin e çështjeve penale nëse të akuzuarit, njëkohësisht pacientë, përfundojnë me sukses programin. Korrespondenti i “Zërit të Amerikës”, Chris Simkins, njofton nga Majemi se si një gjykatës u vjen në ndihmë atyre që vuajnë nga abuzimi me opioidet.

Për gjyqtaren Jeri Cohen, gjëja më e rëndësishme është të shpëtohen jetët e atyre që kanë krijuar varësi ndaj opiodieve.

Këta pacientë kanë Fentanyl në organizëm, një substancë vdekjeprurëse. Nëse vazhdojnë të drogohen nuk do arrijnë të mbijetojnë; ose do përfundojnë në burg, ose të vdekur”.

Është e para herë që ky përdorues heroine del përpara gjyqtares Cohen.

Në vend që t’i fusë në burg, Cohen i dërgon të akuzuarit e sëmurë në qendrën e detoksikimit të burgut, ku marrin trajtim nga një ekip i specializuar mjekësh.

“Pacienti ka varësi ndaj një substance kimike e duhet trajtuar. Por ai vuan edhe nga varësia psikologjike, kështu që duhet ta trajtojmë në të dyja drejtimet”.

“Kur lindi fëmija im i parë, mjeku më dha “percocet” për operacionin. Që atëherë krijova varësi ndaj opioideve”.

Ashley Dunn u arrestua dhe përfundoi në gjykatë. Ajo humbi kujdestarinë e vajzës së parë, por tani që e ka mposhtur varësinë ndaj drogës mund të kujdeset për vajzën e dytë, e cila lindi e varur nga opioidet.

“Ishte e dhimbshme të shikoja time bijë të detoksikohej nga opioidet, edhe sepse ishte faji im që po kalonte këtë ferr. Ime bijë është shtysa ime më e madhe”.

Ndërkohë, në sallën e gjyqit, Cohen tregohet e ashpër me ata që dyshon se nuk do ta ndryshojnë sjelljen e tyre. Teksa ata që duan të shërohen, gjykatësja është e gatshme t’i ndihmojë”.

“Nëse këta pacientë shohin rezultate nga kura janë më të gatshëm ta vazhdojnë, janë më të përqëndruar te trajtimi”.

Ka më shumë se 2700 gjykata për drogat në Shtetet e Bashkuara, të cilat u shërbejnë 136 mijë njerëzve. Por sipas një raporti të Mjekëve për Të Drejtat e Njeriut, vetëm pak komunitete kanë trajtimet e përshtatshme, kurse gjykatat në shumicën e rasteve nuk shqetësohen për shëndetin e pacientit, sa për aspektin ligjor të çështjes.

E para gjykatë specifike për çështjet e drogave u krijua në Majemi, në vitin 1989.

“Asokohe kishte shpërthyer një epidemi kokaine… përdoruesit shkonin në gjyq, pastaj në burg dhe sapo dilnin, arrestoheshin përsëri”.

Cohen u jep njerëzve mundësinë ta mposhtin varësinë e tyre, t’i rrinë larg burgut dhe natyrisht, t’u hiqen akuzat nëse përfundojnë me sukses programin një vjeçar të rehabilitimit. 75% e pacientëve nuk përfundojnë në burg për të paktën dy vjet pas programit.

Por ky program nuk është i përshtatshëm për këdo dhe gjyqtarja Cohen nuk tregohet e durueshme me ata që nuk zbatojnë rregullat.

“Të sëmurët nuk duhen futur në burg. Nuk dua as që ata të përfundojnë të vdekur. Ndonjëherë i marr në mbrojtje, sepse i dua gjallë. Dhe dua që të kenë një mundësi për të luftuar”.

Gjyqtarja Cohen beson se është arritje t’i mbash njerëzit larg nga droga dhe t’i ndihmosh të rifillojnë jetën.