SPB Shkup ngriti padi penale kundër I.S. (34) nga Kosova për shkak të ekzistencës së bazës për dyshimin e kryerjes së veprave penale “vrasje në tentativë” dhe “sulm ndaj një zyrtari gjatë kryerjes së veprimtarive të sigurisë “.

Siç informon MPB, të dielën, më 22 tetor, rreth orës 4:50 në një hotel të vendosur në rrugën “Titoveleshka” në Shkup, i dyshuari u përpoq t’ia merrte jetën gruas së tij N.H. (39) nga Riga, Letoni, pasi që me thikë i ka shkaktuar çarje në zonën e kokës dhe të trupit, si dhe një plagë  të shkaktuar nga goditja me thikë në pjesën e majtë të qafës.

“Gjatë tentativës për vrasje në dhomë hyri F.Z. (26) nga Shkupi, një punonjës i agjencisë për sigurimin e pronës dhe të personave “NIKOB” i cili ishte thirrur nga punonjësit e hotelit. Pas përpjekjes për ta larguar të denoncuarin nga N.H., F.Z. u sulmua nga ana e tij duke e lënduar me thikë në pjesën e dorës së djathtë”, njoftoi MPB.

Të denoncuarit i është shqiptuar masë arresti për 30 ditë.