Një alpinist çek e ka humbur jetën tek gryka e Demir Kapisë, duke u ngjitur në një shkëmb. Ai ka rënë nga një lartësi prej rreth 20 metra, me ç’rast ka marrë lëndime të rënda trupore.

Ministria e Punëve të Brendshme sot konfirmoi se  ka ndodhur aksident ku e ka humbur jetën 71 vjeçari  S.P. nga Deçini, Republika e Çekisë.

Aksidenti është denoncuar dje rreth orës 12 në Stacionin Policor në Negotinë.

Ekipi i Stacionit Policor në Negotinë dhe nga ndihma urgjente mjekësore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku e kanë konstatuar vdekjen.

Shkak për rrëzimin, siç theksohet në kumtesën e policisë, është gabimi personal.

Me urdhër të prokurorit publik, trupi i pajetë është dërguar në Institutin për mjekësi ligjore në Shkup për autopsi.