Policia italianë ka nisur gjuetinë ndaj një gruaje, bionde, e cila dyshohet se është personi që të shtunën ka qëlluar me dy plumba pistolete një shqiptar, i cili ishte duke ia mbathur nga prita që i kishte ndritur një bandë romësh në San Donato të San Miniatos (Pisa).

Kërkimet e karabinierëve janë përqendruar mes provincës së Firences, Pisas e Pistoias, ku edhe gruaja banon, raportojnë sot mediat italiane.

Dhe bashkë me vajzën, po punohet edhe për gjetjen e anëtarëve të tjerë të bandës. Një prej tyre është arrestuar gjatë orëve të vona të së shtunës, pak orë pas ngjarjes që pak u përfundoi në një tragjedi. Në pranga ka rënë një 44-vjeçar italian, i etnisë rome.

Siç është sqaruar më herët, një grup romësh i zunë pritë një 34-vjeçari shqiptar (identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur), i cili është ende i shtruar në spital, në Empoli, pas plagëve të marra nga atentati.

Sipas raportimeve të medieve italiane, atentati lidhet me çështje dashurie. Një nga hipotezat është se shqiptari ka ngacmuar gruan e një prej anëtarëve të bandës dhe, ky i fundit ka vendosur të ndëshkojë 34-vjeçarin. Shqiptari është ndaluar nga anëtarët e bandës në rrugën “Puccini”, teksa ishte duke lëvizur me makinën e tij tip “Lancia Y”.

Fillimisht, agresorët kanë goditur me shkopinj makinën e tij e më pas kanë dhunuar edhe shqiptarin. Ky i fundit, arrin që në një moment ti shpëtojë furisë së dhunës dhe të largohet. Pikërisht në këtë moment, biondja 40-vjeçare shkrepi pistoletën duke qëlluar me dy plumba.

Një nga plumbat përfundoi në një makinë të parkuar, ndërsa tjetri preku shqiptarin në arrati në trup duke e lënë të plagosur. Ky i fundit arriti të lajmërojë forcat e rendit dhe ti shpëtojë bandës edhe pse i palgosur. Tashmë, ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.