Në Greqi numërohen rreth 60 mijë emigrantë dhe refugjatë, të cilët janë akomoduar në kampe. Një pjesë e tyre janë në pritje të miratimit të kërkesave për azil, ndërsa të tjerë presin zhvendosjen apo shpërndarjen në vende të tjera të BE-së.

Por si po trajtohen ata në kampet greke?

Një raport i grupit “Doktorët e Botës” vë theksin në kushtet tejet të rënda në të cilat ndodhen të akomoduarit në kampe, të cilat janë të mbipopulluara.

Një tjetër evidentim është mungesa e kushteve higjenike, çka janë një rrezik për përhapjen e epidemive apo sëmundjeve ngjitëse.

Më shumë se gjysma e 20 mijë migrantëve, që arritën sivjet në Greqi janë gra dhe fëmijë, thuhet në të dhënat e OKB-së.

Ky grup, pas intervistimit, ka gjetur se 72 për qind e problemeve shëndetësore me të cilat përballen migrantët, janë trajtuar në mënyrë “joadekuate” ose nuk janë trajtuar fare.

Grupi “Doktorët e Botës” ka gjetur se gratë shpesh nuk kërkojnë fare përkujdesje shëndetësore, pasi nuk janë në dijeni për të drejtat e tyre. Ato, madje nuk e kuptojnë sistemin e përkujdesit shëndetësor ose kanë frikë se nëse kërkojnë ndihmë mjekësore mund të arrestohen.

Azilkërkuesit në Greqi kanë qasje në spitale dhe kujdes shëndetësor, por sistemi i shëndetit publik, që është goditur për shkak të krizës ekonomike, po përpiqet që të përballojë fluksin e pacientëve.