Ditën e dielë, kampionati francez rezervon një sfidë klasike, atë mes Marsejës dhe PSG-së. Përveç përballjes që pritet të ketë spektakël, Panorama ka mësuar se Lorik Cana do të luajë topin e parë nga mesi i fushës së lojës.

Ish-kapiteni i kombëtares, njëkohësisht edhe ish-lojtar me të dyja ekipet, Cana do të zhvillojë kështu edhe një ceremoni në “Velodrome”, për të shënuar kështu mbylljen e karrierës. Ish-kapiteni tashmë i tërhequr nga futbolli, e nisi karrierën e tij tek ekipi B i PSG, në vitin 2000, për të kaluar më pas në sezonin 2002 drejt ekipit të parë, ku qëndroi për tre vite.

Më pas, ai kaloi tek klubi i Marsejës, ku qëndroi plot katër vite, nga sezoni 2005 – 2009. Aty ai fitoi edhe zemrat e tifozëve, ku për disa kohë ishte edhe kapiteni i skuadrës. Karriera e Canës përmban edhe skuadra të tjera me peshë, si Sandërlend, Gallatasarai apo edhe Lacio. Pak ditë më parë, në ndeshjen kundër Italisë në “Loro Boriçi”, Lorikut iu rezervua edhe një ceremoni nga FSHF për të shënuar mbylljen e karrierës së tij me kombëtaren shqiptare.