Shtatë të vdekur në gjithsej 593 aksidente rrugore ka regjistruar policia në rajonin më të gjerë të Tetovës në nëntë muajt e fundit të vitit, që është zvogëlim i numrit të aksidenteve për 17 në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kur e humbën jetën 10 persona, informoi zëdhënësi i SPB Tetovë Marjan Josifovski.

Nga viktimat dy janë shoferë, tre ishin bashkudhëtarë, një është këmbësorë dhe një motoçiklist. Nga të dhënat tjera statistikore në 42 aksidente, lëndime të rënda trupore kanë marrë 44 persona, në 244 aksidente lëndime të lehta trupore kanë marrë 477 persona, ndërsa në 301 aksidente është shkaktuar vetëm dëm material që gjithsej vlerësohet në rreth 24 milionë denarë.

“Numri më i madh i aksidenteve kanë ndodhur në rrugët e Tetovës, pastaj në autostradën Gostivar-Tetovë-Shkup dhe rrugët përreth rajonale Tetovë-Pirok dhe Tetovë-Volkovia. Arsyeja më e shpeshtë për aksidentet dhe veçanërisht për ato me pasoja më të rënda, sërish është shpejtësia e papërshtatshme, respektivisht ecje me shpejtësi  (170 km/h), kryerje të veprimeve të padrejta (131), 90 nga aksidentet ishin pasojë e daljes nga korsia, 46 janë shkaktuar nga kafshët, kryesisht nga qen endacakë, ndërsa në 57 pjesëmarrës të drejtpërdrejtë ishin këmbësorët”, tha Josifovski.

Njëkohësisht, Josifovski theksoi se për periudhën e njëjtë prej nëntë muajve nga ana e policisë gjithsej janë kontrolluar 36,100 automjete nga të cilat 12.047 ishin pa regjistrim dhe të parregulluara teknikisht, janë zbuluar 1.436 persona të cilët i kanë drejtuar automjetet pa leje të qarkullimit, 902 shoferë-fillestarë, 68 me kategori të papërshtatshme dhe 45 me ndalesë për vozitje.