Deri në orën 14:00 nuk janë regjistruar prishje më serioze të rendit dhe qetësisë publike gjatë zgjedhjeve, kumtoi Ministria e Punëve të Brendshme.

Prej atje informojnë edhe se deri në orën 14:00 janë pranuar edhe 19 denoncime në lidhje me parregullsitë zgjedhore, si ryshfet të votuesve, bartje të votuesve në zgjedhje, fotografim të fletëvotimit, si dhe votim për të tjerët. Paraprakisht deri në orën 11:00 janë parashtruar shtatë denoncime në lidhje me parregullsitë zgjedhore.

Janë evidentuar edhe 10 ndërprerje të votimit në disa vendvotime ku pas konsultimeve dhe ngecjes së shkurtër prej nga 15 deri në 20 minuta votimi ka vazhduar.

“Gjithashtu nga aktivitetet e deritanishme sipas denoncimeve të qytetarëve – tetë denoncime tani më janë zbardhur – dy në rajonin e Radovishit, katër në Vallandovë dhe dy në rajonin e Strumicës dhe ato janë hedhur poshtë si të pabaza. Pastaj, në dy raste janë identifikuar persona për të cilët kanë të bëjnë denoncimet dhe po punohet në zbardhjen e plotë të këtyre paraqitjeve. Në një rast në Strugë, është identifikuar një person në lidhje me paraqitjen për ryshfet të votuesve dhe po bëhen konsultime me Prokurorin publik kompetent pranë PTHP Strugë, ndërsa në Kavadar një person është privuar nga liria, sepse ka votuar edhe në emër të bashkëshortes së tij. Po punohet në zbardhjen e rastit”, thuhet në kumtesën e MPB-së.

Është zbardhur edhe rasti me prishjen e rendit dhe qetësisë publike në afërsi të SHF “Petar Zdravkovski Penko”, ndërsa kundër personave G.N. (32) dhe G.T. (48) do të parashtrohen kallëzime penale në pajtim me nenin 11 “rrahje” dhe nenin 6 “prishje të rendit dhe qetësisë publike me zbulim të dehjes” nga Ligji për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike.

Nga MPB-ja informojnë edhe se ZJPK Koçan ka parashtruar kallëzim penal kundër personit S.A. (36) nga Shkupi, për shkak të ekzistimit të dyshimit bazë se ka bërë vepër penale – “ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimit” të paraparë sipas nenit 162 paragrafi 1 nga Kodi penal i RM-së.

Është evidentuar edhe një vjedhje në vendvotimin në Shuto Orizarë në SHF “26 Korriku”. Në periudhën nga ora 6:00 deri në orën 9:30 në vendvotimin nr. 2957 një autor i panjohur nga çanta e të dëmtuarës J.I. e cila ishte zyrtarisht e pranishme në atë vendvotim ka marrë portofolin në të cilin kishte 1.200 denarë dhe dokumente të tjera personale dhe kartela pagesore të së dëmtuarës. Po punohet në zbardhjen e rastit.