Prokuroria Speciale Publike akoma nuk është e sigurt se si do të procedoj në rastin “Monstra”. Derisa organi akuzës kërkoi nga Gjykata Supreme kthimin e lëndës në shkallë të parë, prokurorja Katica Janeva thotë se askush deri më tani nuk i ka kërkuar ekipit të saj përgjime për këtë rast. Janeva thotë se “Monstra” akoma është në procedurë para-hetimore.

Nga ne nuk janë kërkuar incizime, por vetëm u tha se duhet që ne t’i dorëzojmë incizimet në gjykatë. Megjithatë, dua që ta dini, pa marrë parasysh se si do të vendoset, derisa nuk është i sigurt ekipi i Prokurorisë Speciale bashkë me mua se si do të procedohet rasti, deri atëherë “Monstra” do të mbetet në rrethana të procedurës para-hetimore- deklaroi Katica Janeva, prokurore speciale.

Se ekzistojnë biseda të përgjuara për rastin në fjalë e konfirmon edhe avokati i të akuzuarve Naser Raufi. Sipas tij, bisedat dëshmojnë se për rastin “Monstra” nuk ka prova materiale dhe verbale.

Flitet që për rastin “Monstra” nuk ka prova dhe protagonisti tjetër në këtë bisedë, e të cilët nuk i njohim asnjërin prej tyre, thotë se prova të tilla patjetër të gjinden. Kjo vërteton se për këtë rast nuk ka pasur asnjë dëshmi- tha avokati mbrojtës Naser Raufi.

Gjykata Supreme akoma nuk ka sjell vendim ndaj propozimit të Prokurorisë Publike që rasti “Monstra” si i gjykuar në mungesë të provave të kthehet në gjykatën e shkallës së parë. Mbrojtja gjithashtu kërkon që ky rast të rishqyrtohet nën akuzën se këta të fundit nuk kanë pasur qasje në provat dhe dëshmitë e Prokurorisë Publike. Megjithatë akuzave të tyre iu kundërpërgjigj gjykatësi hetues i rastit “Monstra” Vlladimir Tufekxhiq i cili theksoi se mbrojtja i ka parë të gjitha provat. Nga ana tjetër prokurorja e rastit Gordana Geshkovska deklaroi se ajo ka vepruar në bazë të provave që i janë mundësuar. Këshilli i Gjykatës Supreme i përbërë nga 3 shqiptarë dhe dy maqedonas në krye me Jovo Vangellovskit, sipas praktikave të deritanishme ka afat 60 ditorë të vendosë për propozimin e Prokurorisë Publike. Referuar vlerësimeve të ekspertëve, Supremja duhet të kthejë rastin në shkallën e parë pasi sipas tyre, aktakuzën e vë në dyshim organi që e ka formuar atë. Për vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës në vitin 2012, me burg të përjetshëm u dënuan 6 persona nën akuzën për vepër terroriste.