Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu ka komentuar deklaratat e ambasadorit amerikan, Donald Lu.

Në një intervistë për gazetën “TemA” ka thënë se “ambasadori Lu ka të dhënat e tij dhe ai vetë e di se si i ka nxjerrë këtë konkluzuion”, duke shtuar se strukturat mafioze nuk ekzistojnë në vend.

“Ambasadori Donald Lu ka të dhënat e tij dhe ai e di vetë se si e ka nxjerrë këtë konkluzion.

Personalisht mendoj se ne vërtetë kemi krime apo familje të implikuara, por strukturë mafioze nuk besoj se ekziston në vend. Nëse e lemë gjendjen kështu siç është edhe mund të krijohet.

Fakti është që kemi grupe kriminale që merren me drogë, prostitucion apo kontrabandë dhe organet përkatëse duhet ta nxjerrin lakuriq problemin.

Gjithsesi unë e përshëndeta deklaratën e diplomatit amerikan pasi ai vuri në lëvizje politikën, drejtësinë dhe opinionin publik shqiptar.

Fjala e tij nuk duhet të shuhet apo anashkalohet pasi ne shqiptarët e kemi praktikë të themi “tre ditë dhe u harrua”.

Ndaj krimit apo veseve të reja në shoqëri duhet një luftë reale, pa pasur parasysh se kush është përfshirë dhe kush duhet ta paguajë”, ka thënë ish-presidenti.

Ndërkohë lidhur me çështjen “Tahiri”, ai thotë se shitja e makinës tek trafikantët dhe vigjilenca e munguar ndaj përhapjes së kanabisit që janë gabime të pranuara nga vetë deputeti, ngelin të papranueshme.

“Deri tani di që ai ka pranuar dy gabime publikisht të cilat në optikën time nuk janë të lehta. Qoftë çështja e “makinës” qoftë çështja e “vigjilencës së munguar ndaj përhapjes së kanabisit”. Se çfarë përgjegjësie ka, kjo duhet parë në vijim nga organet e drejtësisë.

Ne duhet t’i lemë institucionet të punojnë megjithëse ato nuk kanë dëshirë që të jenë të tilla.

Për fat të keq drejtësia është pleksur me politikën, prandaj dhe duhet reforma në drejtësi që i hap rrugë skanimit të atyre që do t’u ngarkohet në të ardhmen detyra e rëndësishme e të bërit drejtësi”, thotë Moisiu.