Ministri i Drejtësisë Bilen Saliji sot realizoi takim me ambasadorin e Republikës së Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë, Tomas Gerberih, ku u bisedua për aktivitetet e Ministrisë së Drejtësisë që kanë të bëjnë me zbatimin e prioriteteve urgjente reformuese.

Në këtë kontekst, ambasadori Gerberih shprehi respekt për detyrat që po ndërmerr ministria e që kanë për qëllim integrimin sa më të shpejtë euro atlantik të vendit dhe siguroi se, me emërimin e tij si ambasador i Gjermanisë në Republikën e Maqedonisë, nuk do të ketë ndryshime sa i përket mbështetjes së Gjermanisë që në vazhdimësi ia ofron Maqedonisë.

Ai theksoi se reformën që duhet ta zbatojë Ministria e Drejtësisë, e cila është e bazuar dhe në përputhje me raportet e Pribe-së, është shumë e rëndësishme dhe jetike, por edhe se është e nevojshme kohë për realizim.

Ministri Saliji deklaroi se Ministria e Drejtësisë gjatë aktiviteteve të veta udhëhiqet në përputhje me dinamikën në Planin 3-6-9 të Qeverisë së RM-së.

“Qëllimi i ministrisë është zbatimi cilësor i obligimeve të parashikuara në gjyqësorin e të cilat do të mundësojnë kthimin e shtetit juridik. Të gjithë këtë e bëjmë kryesisht në mënyrë transparente duke i përfshirë të gjitha palët e prekura”, tha ai.