Me iniciativë të ministrit grek të Punëve të Jashtme, Nikos Koxias më 4 dhe 5 tetor në Selanik do të mbahet takim i shefave të diplomacive të Greqisë, Maqedonisë, Shqipërisë dhe Bullgarisë, publikuan mediat greke.

Ky do të jetë takimi i dytë i një formati të këtillë në kuadër të përpjekjeve të diplomacisë greke për përforcim të stabilitetit rajonal dhe bashkëpunimit transkufitar midis vendeve fqinje nga pjesa jugore e Ballkanit. Ngjarja do të jetë me rend dite më të gjerë dhe paraqet vazhdim të kontakteve të paradokohshme të Koxiasit me kolegët e tij nga këto tre vende gjatë Asamblesë së Përgjithshme të KB-së nga 18 deri më 22 shtator në Nju-Jork.

Qëllimi i takimit diplomatik është që të konfirmohet bashkëpunimi institucional midis katër vendeve, të cilat duhet të zgjidhin çështje të sigurisë dhe të luftojnë kundër ekstremizmit, terrorizmit dhe radikalizimit. Njëkohësisht, këto vende u ballafaquan edhe me krizë të madhe të refugjatëve dhe emigrantëve, pasojat e së cilës i ndjejnë akoma.

Për këtë arsye, ministrat e punëve të jashtme do t’i shqyrtojnë mundësitë për përgatitjen e pozitës së përbashkët gjatë zgjidhjes së këtyre çështjeve në bazë të vlerave evropiane dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.