Presidenti i Republikës, Ilir Meta, gjatë qëndrimit të tij në Prishtinë u takua dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Finlandës, Timo Soini, i cili ndodhej për një vizitë zyrtare në Kosovë.

Presidenti Meta shprehu kënaqësinë që një vend evropian si Finlanda e ruan vëmendjen ndaj rajonit tonë dhe ndaj Kosovës në veçanti, duke e konsideruar të domosdoshme dhe me rëndësi të madhe prezencën dhe vëmendjen e shtuar të Bashkimit Evropian për Kosovën.

Gjithashtu Meta theksoi se BE duhet të përcaktojë një perspektivë të qartë evropiane për Kosovën, pasi ky proces mbetet një nxitës dhe motor i fuqishëm për sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës por edhe të gjithë Ballkanit Perëndimor.

Duke uruar Finlandën për 100-vjetorin e pavarësisë së saj, Presidenti Meta shprehu interesin që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve të zgjerohen më tej, veçanërisht në aspektin ekonomik dhe në fushën e turizmit.

Image