Presidenti Meta tha se investitorët e huaj, që në hapin e parë të tyre kërkojnë të sigurohen për sistemin fiskal dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend.

“Autoritetet franceze në vijimësi kanë asistuar institucionet tona duke na ofruar modelet më të mira sesi të përmirësojmë qeverisjen e vendit. Një sistem drejtësie që funksionon normalisht në të gjitha hallkat e tij, pa diskutim që sjell si rezultat një drejtësi funksionale që konsolidon në vijimësi sigurinë juridike të shtetasve, normalisht edhe të biznesit dhe sipërmarrjes në një vend. Një drejtësi funksionale është ajo ku vendimi i gjykatës ekzekutohet dhe nuk diskutohet. Është detyrë primare e organizmave shtetërorë që të ndërmarrin gjithë veprimet për t’iu ofruar qytetarëve sigurinë juridike, e cila garantohet duke krijuar një sistem ligjor të shëndoshë, dhe nga ana tjetër duke përmirësuar cilësinë e shërbimeve publike, ku një prej të cilëve është edhe shërbimi përmbarimor. Zhvillimi ekonomik i një vendi është i lidhur ngushtë me cilësinë e sistemit të drejtësisë së tij, sepse nëse ky sistem garanton mbrojtjen dhe ekzekutimin e të drejtave, atëherë kjo klimë pozitive do të nxisë iniciativa dhe sipërmarrës të rinj për t’u bërë pjesë e kësaj klime.

Asnjë investitor i huaj nuk do të dëshironte që të zhvillonte aktivitetin e tij, për më tepër të investonte në një vend të pasigurt ku drejtësia shtrembërohet apo vendimi i gjykatës injorohet dhe nuk ekzekutohet. Çdo sipërmarrës që shfaq interes për Shqipërinë, shfaq interes së pari për sistemin fiskal dhe për mënyrën sesi drejtësia funksionon, pasi dëshiron që të ketë të qartë se cila është politika mbështetëse shtetërore dhe cila është cilësia e shërbimit në sistemin gjyqësor”, u shpreh Presidenti Meta.

Gjatë fjalës së tij, Presidenti Meta i ka përcjellë një mesazh Kuvendit të Shqipërisë.

“I përcjell Kuvendit mesazh të tregojë kujdes në diskutimin dhe miratimin e paketës ligjore që rregullon profesionet e lira ku me rëndësi është edhe shërbimi përmbarimor. Ndërhyrjet në legjislacion duhet të jenë të mirëmenduara, të plota dhe në koherencë me standardet europiane. Në këtë drejtim ndihma e BE nuk ka munguar”, tha Meta.