Berbatov nuk ka dyshime, “Messi është më i mirë se Cristiano”.

Katër herë fituesi i “Topit të Artë, Cristiano Ronaldo fitoi çmimin “The Best” nga FIFA, si më i miri në botë për vitin 2017, por sipas Dimitar Berbatov ai është ende prapa Lionel Messit.

Ronaldo fitoi çmimin “The Best” para Neymarit e Messit pasi ndihmoi Realin të fitojë Champions League, La Liga, Superkupën e Spanjës dhe Superkupën e Evropës.

Por, ish sulmuesi i Manchester United mendon se askush nuk mund të krahasohet me Messin.

“Ai është më i miri ndonjëherë. Ronaldo është fantastik, i mrekullueshëm, por Messin e pëlqej më shumë”, tha fillimisht Berbatov.

“Ai e sheh lojën më pastër. Mund të shënojë, krijojë raste, është lojtar i kompletuar, ndoshta më i miri në histori”, shtoi Berbatov.

“Lojtarët e rinj tentojnë që të imitojnë lojtarë si Ronaldo. Ata duan të imitojnë atë me flokë, vetura, trike. Tentoj t’ua shpjegoj se sa shumë punon Ronaldo stërvitje pas stërvitje”.

“Ai vetëm dëshironte të bëhej më i mirë, më pas vijnë të tjerat”.