(Partitë politike, kreatore të dështimeve dhe kaosit në pushtetin vendor, apo projektuese të zhvillimit e progresit?)

Përveç pengesave dhe kufizimeve ligjore nga pushteti qendror në Maqedoni (jo vetëm qëndrimi diskriminues ndaj shqiptarëve, komunave dhe rajoneve ku jetojnë ata, por edhe korrupsioni dhe kriminaliteti i theksuar brenda organeve të pushtetit qendror), diskriminimit në sferën e ndarjes së buxhetit dhe pengesave ligjore e pasiguarisë për investime nga jashtë, partive poltike të shqiptarëve në Maqedoni nuk duhej t’ua lejojnë komoditetin që, në listat e kandidatëve për kryetarë komunash dhe këshilltarë të dominojë interesi partiak, por interesi i përgjithshëm i qytetarëve, prandaj, është dashur që sa më pak të ketë militantë me libraza partie në këto lista, e sa më tepër ekspertë të fushave përkatëse, shumë të domosdoshëm për realizimin e programeve zhvillimore të komunave, sidomos të atyre me shumicë të popullsisë shqiptare.

Nuk ka dështim dhe krim më të madh se kur programit të madh të reformave të nevojshme në komunat shqiptare u ofron kandidatë amatorë, ndërsa ekspertët e dëshmuar të fushave përkatëse enden nëpër ndërmarrje dhe institucione të parëndësishme, ku nuk mund ta shfaqin kreativitetin e tyre, ose largohen nga vendi në botën e jashtme, për mungesë perspektive dhe shpërfillje nga partitë politike.

Për kandidatët që kanë dështuar në menaxhimin e derisotëm të këtyre komunave as që duhet të diskutohet, nëse ata kanë shërbyer vetëm si dekor, ose u kanë shërbyer klaneve politike kriminale, të cilat jo vetëm që i kanë ngulfatur dhe falimentuar këto komuna, por kanë krijuar barriera të kapërcyeshme edhe për të ardhmen, edhe nëse do të vinë në ato pozita struktura të reja udhëheqëse, sado qëllimmira dhe të afta të jenë ato.

Zgjedhjet vendore të radhës në Maqedoni le të na shërbejnë së paku për të ardhmen, se çka nuk guxojmë të bëjmë (eksperimente, partizim të pushtetit), çka nuk duhet të tolerojmë (kuadro të dështuar) dhe cila është përgjegjësia jonë si brez (ta pastrojmë skenën politike nga kriminelët dhe të korruptuarit), si bartës të denjë të proceseve në të ardhmen, të cilat do ta përcaktojnë fatin e popullit shqiptar në Maqedoni, sot dhe në të ardhmen