Kandidati për kryetar të komunës së Çairit, Visar Ganiu, i shoqëruar nga Shtabi zgjedhor i Bashkimit Demokratik për Integrim- Dega e Çairit, shefi i Shtabit Bujar Osmani, kryesuesi i listës për këshilltarë në Qytetin e Shkupit, Besnik Ajeti, Forumit të Gruas të BDI – Dega e Çairit, Forumit Rinor të BDI – Dega e Çairit, aktivistë e simpatizantë kanë zgjedhur të kalojnë një të diel ndryshe. Grupi ka marshuar rrugëve të komunës, duke filluar nga sheshi “Skënderbej” për t’iu drejtuar më pas bulevardeve dhe rrugëve kryesore në komunë për të përçuar mesazhin e unitetit dhe besimit në fitore. Por gjithashtu edhe për të biseduar me qytetarë, për të marrë prej tyre sugjerime, vërejtje, kërkesa.

Gjatë kësaj defile ata kanë ndaluar në disa pika, janë takuar me qytetarë, kanë biseduar me ta dhe kanë shpërndarë po ashtu edhe Kontratën. Kandidati Ganiu ka shpjeguar para qytetarëve projektet që planifikon t’i realizojë në të ardhmen, ka ndarë me ta vizionin dhe konceptin për një Çair ndryshe.

Kanë qenë të shumtë edhe ata qytetarë që i janë bashkuar grupit dhe kanë dalë në rrugë për t’ i uruar kandidatit Ganiu suksese gjatë  fushatës dhe në ditën e zgjedhjeve. Ata i kanë shprehur kandidatit besimin në fitore dhe në projektet që do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së tyre dhe të zhvillimit ekonomik.