Mbreti Felipe i Gjashtë i Spanjës ka komentuar situatën politike shumë të tensionuar në vend.

Mbreti Felipe i Gjashtë i Spanjës e konsideron të papranueshme tentativën e zyrtarëve të Katalonjës për të shpallur pavarësinë. Ai shprehu besimin e plotë se qeveria e Madridit do të zgjidhë këtë çështje në mënyrë ligjore duke respektuar Kushtetutën.

“Tentativa për ndarje nga Katalonja është e papranueshme. Katalonja është dhe do të jetë një pjesë e rëndësishme e Spanjës”, u shpreh monarku nga qyteti Oviedo.

“Spanja do t’i bëjë ballë tentativës së papranueshme për ndarjen e një pjese të territorit kombëtar dhe këtë do ta zgjidhë me institucionet e saj legjitime dhe demokratike duke respektuar kushtetutën dhe vlerat themelore të demokracisë parlamentare”, shtoi ai.

Edhe më herët Mbreti Felipe i Gjashtë ishte shprehur kundër nismës për pavarësi të Katalonjës.

“Ne nuk duam të heqim dorë nga ajo që kemi ndërtuar së bashku”, u shpreh ai në ceremoninë e dorëzimit të çmimeve “Princesha e Asturias”, që u mbajt në teatrin “Kampoamor” në Oviedo. Në këtë event ishin të pranishëm kryeministri Mariano Rahoi dhe disa përfaqësues të Bashkimit Europian.

Në fjalimin e tij, të karakterizuar nga emocione të mëdha, Mbreti Felipe i Gjashtë nënvizoi progresin e një Spanje që ka kaluar “gabimet e të kaluarës”.

Gjithashtu ai i bëri thirrje qytetarëve në rajonin e Katalonjës që të mbështesin Spanjën e bashkuar.