Organizatat civile nga fundi i javës do të mund të aplikojnë për mjete për hapje e 50 vendeve të reja të punës. Organizatat civile do të mund të fitojnë 92 mijë denarë për pajisje dhe materiale me të cilat do të mundësohet punësimi i personave mbi 29 vjeç dhe rreth 150 mijë denarë për punësim të të rinjve deri në 29 vjeç. Për masën, shteti përmes buxhetit siguron gjashtë milionë denarë.

Qëllimi i masës, e cila është pilot projekt, krahas hapjes së vendeve të reja të punës është që të mundësohet mbështetje dhe zhvillim të sektorit civil, i cili madje mund të ofrojë shërbime sociale përmes sipërmarrësisë sociale të cilët janë të nevojshëm në nivel shtetëror dhe lokal.

Organizatat, mes të tjerash, duhej të ishin ekonomikisht aktive në vitin 2016, të kenë të paktën një të punësuar, që të mos e zvogëlojnë numrin e të punësuarve gjashtë muaj para dorëzimit të kërkesës.

“Kjo mundësi mund të tingëllojë çuditshëm sepse flitet për investim nga ana e Qeverisë për hapje të vendeve të punës në sektorin civil. Është e rëndësishme ta lidhim këtë me sistemin social sepse na nevojiten shërbime sociale në nivel qendror dhe lokal dhe zhvillim të sipërmarrësisë sociale. Pikërisht këtu organizatat qytetare kanë fushë të madh për zhvillim të shërbimeve sociale, por edhe janë të afërta me qytetarët”, tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Milla Carovska në promovimin e masës.

Përfaqësuesja e përhershme e UNDP-së në Maqedoni Lujza Vinton konsideron se me masën përmbushen dy prioritete të kësaj organizate – nga njëra anë hapen vende të reja të punës, ndërsa nga ana tjetër përforcohet sektori civil, për shkak se siç tha, shpeshherë ai nuk mund ta rrisë personelin e tij ose të ketë personel me orar të plotë të punës.

Pret që organizatat civile të theksojnë se çka u nevojitet me qëllim që kjo masë të mund të zgjerohet dhe të zbatohet edhe në vitin 2018.

Drejtoresha e APRM-së Biljana Jovanovska informoi se thirrja publike do të hapet më së voni deri të shtunën. Do të pranohen të gjithë aplikacionet dhe përmes tyre do të vlerësohet se nëse ka nevojë për ndonjë korrigjim në masë që për në vitin 2018 ai të jetë aktivitet i rregullt me përfshirje më të madhe.

Të papunët të cilët do të angazhohen në organizatat civile me ndihmën e kësaj mase, do të jenë nga evidenca e të papunëve në Agjenci.