Autoritetet marokene njoftuan kapjen në Fes të një celule të rrezikshme terroriste, të përbërë nga katër ekstremistë të lidhur me grupin xhihadist të Shtetit Islamik.

“Të dyshuarit e arrestuar po projektonin, nën influencën e publikimeve propagandiste të Shtetit Islamik, të kryenin sulme në Fes”, sipas një komunikate të Ministrisë së Brendshme.

“Kontrollet kanë mundësuar sekuestrimin e armëve të ftohta si thika të kalibreve të ndryshme, një veshje ushtarake, dorëshkrime që nxisnin në xhihad dhe apologji të Shtetit Islamik, si dhe pajisje elektronike”, sipas të njëjtit burim.

Arrestimet e kryera nga Zyra Qendrore për Investigimet Gjyqësore (BCIJ), zbuluar nga Drejtoria e Përgjithshme për Mbikëqyrjen e Territorit (DGST), ndodhën 10 ditë pas kapjes së një celule tjetër, të vendosur gjithashtu në Fes, me shtrirje në qytete të tjera, Meknes, Kasablanka dhe Khuribga, përcjell Atsh.

“Grupi parashikonte kryerjen e atentateve në zonat e ndjeshme (…) në koordinim me sferat më të larta të Shtetit Islamik”, sipas Ministrisë së Brendshme.