Maqedonia të shtunën është në heshtje zgjedhore, një ditë reflektimi kjo për qytetarët para votimit të së dielës.

Në Listën e vetme zgjedhore për rrethin e dytë të zgjedhjeve lokale të 28 tetorit janë gjithsej 833.716 votues që të drejtën e tyre mund të realizojnë në 1.517 vendvotime në 35 komuna.

Një ditë para të tjerëve votojnë ata që vuajnë dënimin në burgjet e vendit apo janë në paraburgim. Në 13 institucionet ndëshkuese korrektuese, të drejtë vote kanë 939 persona.

Në këto institucione, vendvotimet hapen të shtunën prej orës 7:00 deri në orën 19:00 dhe votat e tyre numërohen të dielën pas përfundimit të votimeve në të gjithë vendin.

Edhe 8 persona që gjenden në listën e të zhvendosurve brenda vendit, votojnë më 28 tetor, bashkë me të sëmurët, të pamundurit, apo personat që gjenden në burgim shtëpiak, të cilët kanë njoftuar në kohë komisionet komunale me dokumentacion të rregullt. Këta qytetarë janë gjithsej 1.435.

Ka interes të shtuar edhe për ndjekjen e rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale nga organizatat e mediat vendase e të huaja. KShZ ka akredituar 5.101 vëzhgues vendor dhe 473 të huaj, 315 përkthyes dhe 20 gazetarë të mediave të huaja.