Kuba e mbështet aktivitetin e rritur të Republikës së Maqedonisë në fushën e politikës së jashtme dhe propozon përforcim të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Këtë sot ia transmetoi kryeministrit Zaev, ambasadori kubanez Pedro Pablo San Horhe.

“Duke i konfirmuar marrëdhëniet e mira diplomatike, ambasadori e shprehu gatishmërinë e Republikës së Kubës që të pranojë investues të Maqedonisë nga industria ushqimore, energjetika dhe ndërtimtaria, të cilët kanë interes që të investojnë në Kubë, me çka do të forcohej bashkëpunimi ekonomik i dy vendeve”, kumtoi pres-shërbimi qeveritar.

Duke e përshëndetur nismën e këtillë, kryeministri Zaev ka shprehur interes për më shumë takime në të ardhmen, në të cilat do të vazhdohej shkëmbimi i ideve për bashkëpunim dhe realizimi i tyre.

San Horhe shtoi se edhe Kuba dëshiron të ketë miq mes vendeve-anëtare të BE-së për shkak të së cilës i mbështet aspiratat euroatlantike të Maqedonisë.

Zaev i potencoi marrëdhëniet e mira dhe miqësore të cilat Republika e Maqedonisë i ka me Republikën e Kubës, duke theksuar se kultivohet klima e mirë për bashkëpunim mes dy shteteve. Njëherit e njoftoi ambasadorin me angazhimet e Qeverisë së re për aspiratat euroatlantike të Maqedonisë, si dhe për orvatjet për gjetje të zgjidhjes për çështjen e emrit.