Në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu u ndal në qytetin e Vlorës, ku po ofrohet shërbimi i mamografisë falas për gratë e moshës 40-50 vjeç, përmes dy mamografëve të lëvizshëm të vënë në dispozicion nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

“Jemi këtu në Vlorë, bashkë, të gjitha gratë drejtuese të Shëndetësisë për të apeluar për kryerjen e ekzaminimin e gjirit, pasi diagnostikimi i hershëm i këtij tumori, të shpëton jetën.

Ne si Ministri e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale do të fuqizojmë spitalet Rajonale me mamografë të rinj. Vlora është nje prej 5 spitaleve rajonale që, së bashku me Durrësin, Gjirokastrën, Dibrën dhe Kukësin, shumë shpejt do të kenë aparaturat e reja të mamografisë. Ndërkohë, mamografët e lëvizshëm do të vijojnë rrugëtimin e tyre përgjatë gjithë vitit, për të kryer këtë depistim edhe në zonat rurale, ku ka mungesë aksesi për këtë shërbim”, u shpreh Ministrja Manastirliu.

 Mamografët e lëvizshëm do të qëndrojnë disa ditë në Vlorë, më pas do të stacionohen sipas kalendarit të paracaktuar për muajin Tetor, në Gjirokastër, Përmet dhe Lezhë.