Një zyrtar i policisë në Maltë ka shokuar të gjithë vendin me komentin e tij për vrasjen e gazetares në atentatin me bombë. Në një mesazh në Facebook ai shkruan se ndihet I lumtur pasi të gjithë marrin atë që meritojnë.

“Në fund të gjithë marrin atë që meritojnë, jam i lumtur”.

Ky ishte komenti i zyrtarit të policisë në Maltë, Ramon Mifsud, njëri nga agjentët që duhet të hetojë atentatin kundër Dafni Karuana Galisia. Ky mesazh i publikuar nga ai në profilin zyrtar në Facebook, ka shkaktuar shumë zemërim tek familjarët e viktimës.

“Pak orë më pasë, ndërsa ai kllouni që kemi për kryeministër po mbante një fjalim në Parlament për një gazetare që për 10 vite e ka sulmuar, një nga zyrtarët e policisë që duhej të hetonte vrasjen, Ramon Mifsud ka publikuar këtë në Facebook… Po, ky është vendi ynë: një shtet mafioz ku mund të ndryshosh gjininë në kartën tënde të identitetit, por edhe mund të hidhesh në erë vetëm sepse ushtron të drejtat bazike”, shkruan djali i gazetares, Methju Galisia.

Ashtu si Dafni, edhe Methew bën pjesë e Shoqatës së gazetarisë investigative që ka zbuluar skandalin “Panama Papers”. Pikërisht djali i saj kishte qenë i pari që kishte shkuar në vendin e shpërthimit pasi vendi ku ndodhi ngjarja ishte afër banesës së tyre.

Dafni Galisia, njihej për akuzat e saj për korrupsion ndaj qeverisë së Maltës. Madje gazetarja kishte zbuluar lidhjen mes gruas së kryeministrit me një kompani nafte që kishte depozituar para në bankat e përfshira në skandalin “Panama Papers”.

53-vjeçarja u vra me një atentat me bombë në makinën e saj gjatë pasdites të së hënës. Ende nuk dihet kush qëndron pas kësaj ngjarje ndërsa hetimet vazhdojnë.