Presidenti francez Emanuel Makron sot para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut qëndroi në mbrojtje të ligjit për luftën kundër terrorizmit, i cili prej nesër hyn në fuqi në Francë dhe do ta zëvendësojë gjendjen e jashtëzakonshme në vend.

Presidenti francez për herë të parë foli para 45 gjykatësve të Gjykatës.

“Ai tekst është efikas, i respekton dhe i mbron të drejtat e njeriut dhe është në kuadër të Konventës evropiane për mbrojtje të të drejtave të njeriut, e cila 830 milionë evropianëve iu garanton mbrojtje të sigurt në botë dhe paraqet model për tërë njerëzimin”, tha Makron.

Ligji për luftë kundër terrorizmit i përforcon mundësitë për intervenim të forcave të sigurimit në rast të kërcënimeve terroriste. Majtistja radikale franceze dhe organizatat joqeveritare franceze e kritikuan Makronin për shkak të ligjit dhe konsiderojnë se “e vret liritë”.

“Ne qëndrojmë në kuadër të shtetit të drejtë dhe nën kontrollin e gjyqësisë. Por siguria është kusht, që të mund liritë tona të respektohen”, tha Makron.

Ai theksoi se ligji i ri nuk ka për qëllim të krijojë gjendje të përhershme të jashtëzakonshme, siç pohojnë disa, por parasheh masa të nevojshme për mbrojtje të francezëve, të cilët janë saktë të definuar dhe i nënshtrohen kontrollit të përforcuar gjyqësor.

Paraprakisht Makron pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Tjorbjorn Jagland kumtoi se Franca nesër do ta heq gjendjen e jashtëzakonshme, që u vendos pas sulmit në Paris në nëntor të vitit 2015.