Presidenti francez, Emanuel Makron ka ofruar të jetë ndërmjetësues midis Qeverisë irakiane dhe Kurdistanit irakian të cilët kërkojnë pavarësi.

Ai këtë e deklaroi pas takimit me kryeministrin irakian, Hajder al Abadi në Paris, të mbajtur sot. Fokusi i takimit u vendos në mbështetjen franceze për luftën kundër Shtetit Islamik, si dhe rikuperimin e ekonomisë irakiane.

Makron theksoi se Franca dhe vendet e tjera perëndimore janë të brengosura për situatën me kurdët pas referendumit të muajit të kaluar dhe shtoi se Franca mbështet stabilitetin dhe integritetin territorial të Irakut. Ai më tej e theksoi edhe rëndësinë e “pajtimit kombëtar” dhe tha se Franca aktualisht ka marrëdhënie të afërta me kurdët.

Presidenti francez vlerëson se “dialogu është e rruga e vetme” dhe se “Franca është e gatshme për pjesëmarrje aktive si ndërmjetësuese”.