Përmirësim i sistemit të navigacionit të Maqedonisë, si dhe rritje e sigurisë së qarkullimit ajror mbi qiellin e Maqedonisë, është qëllimi i furnizimit të ri të M-NAV, informoi sot ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski gjatë vizitës së Navigacionit të Maqedonisë.

“Ky furnizim do ta përmirësojë atë që do të thotë siguri e rritur në qarkullimin ajror. Bëhet fjalë për radarë, pajisje për komunikim, pajisje për meteo dhe sisteme ATM”, theksoi Sugareski.

Nikollçe Tasevski, kryetar i Këshillit drejtues dhe një nga drejtorët të Navigacionit të Maqedonisë, sqaroi se bëhet fjalë për pajisje në vlerë prej mbi 13 milionë euro, nga të cilët tetë milionë euro janë për sistemin ATM, 3,5 milionë euro për pajisjen e radarit, 1,6 milionë euro për sistemin për komunikim dhe pajisje e re meteo në vlerë prej 700 mijë eurove.

“Është me rëndësi që të gjitha këto projekte të implementohen për përmirësimin e cilësisë së dhënies së shërbimeve, që të rritet kapaciteti i kontrollit të fluturimit, sepse momentalisht mund të lejojmë vetëm një mijë fluturime në ditë, ndërsa me pajisjen e re do të mund të lejojmë deri në 2,5 mijë fluturime në ditë”, theksoi Tasevski.

Sipas tij, Navigacioni i Maqedonisë punon me sukses në raport me gjendjen financiare, si dhe me vëllimin e fluturimeve ku në gusht janë realizuar numër rekord prej mbi 930 fluturimeve në ditë.