Ministrja e Integrimit Evropian të Kosovës, Dhurata Hoxha ka pritur në takim lamtumirës, raportuesen në Parlamentin Evropian për Kosovën, Ulrike Lunaçek dhe sllovenin Igor Sholtes, eurodeputet, anëtar i Grupit të partive të gjelbra në Parlamentin Evropian i cili do të jetë raportuesi i ri për Kosovën, në PE.

Dinamika e procesit integrues nga Qeveria dhe kabinetet ministrore për sektorët e caktuar, tani më ka dhënë rezultatet e para, andaj, theksoi ministrja Hoxha, presim përkrahje për zgjidhjen e sfidave të mbetura. Duke qenë takim lamtumirës, ministrja Hoxha i shprehu falënderim të sinqertë, Lunaçek për kontributin e dhënë ne progresin e Kosovës.

“Procesi integrues është çështje madhore e shtetit tonë. Në këtë drejtim, falënderojmë shtetet mike dhe miqtë e jashtëzakonshëm si Lunaçek që vazhdimisht ishin pranë nesh duke na udhëzuar e përkrahur me asistencë të gjithanshme. Po ashtu, ju zonja Lunaçek ishit avokate e jona e fuqishme me këshilla, ekspertiza dhe kapacitetet tuaja politike në të gjitha nivelet, në veçanti brenda Parlamentit Evropian”, tha Hoxha duke shtuar se Kosova ka nevojë ende për përkrahjen e saj.

Raportuesja në Parlamentin Evropian për Kosovën, Ulrike Lunaçek, në takim lamtumirës, theksoi se ndjen kënaqësi që procesi integrues është thelbësor në orientimin strategjik të institucioneve të Kosovës, duke vënë në pah, komponentët e veçanta si zbatimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe fqinjësia e mirë.

Lunaçek, në fund theksoi se ka emocione ndër më të mirat kur sheh përparimin e Kosovës duke përmbushur procesin integrues. Së bashku me Lunaçek ishte edhe eurodeputeti Igor Sholtes, nga Partia e gjelbër e Sllovenisë, që pritet të marrë detyrën e raportueses së deritashme, Lunaçek, në Parlamentin Evropian.

Lunacek e cila po qëndron në Prishtinë,  zhvilloi takime lamtumirëse me liderët e institucioneve të Kosovës. Ajo është pritur në takime të ndara nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi si dhe nga kryeministri Ramush Haradinaj.

“Eurodeputetja Ulrike Lunaçek ka qenë zë i Kosovës në Bruksel dhe i Brukselit në Kosovë. Në vizitën e saj të fundit si raportuese, e falënderova atë për mbështetjen dhe rolin e saj të sinqertë dhe konstruktiv”, ka shkruar presidenti Thaçi në profilin e tij në rrjetin social, Facebook.

Meqë Ulrike Lunaçek përfundon mandatin e saj, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian është zgjedhur politikani dhe avokati slloven, Igor Sholtes.

Soltes nga 2004 deri në 2013 shërbeu si President i Gjykatës së Auditorëve të Sllovenisë.  Në 2008 mori doktoraturë në Fakultetin e Studimeve Sociale në Universitetin e Lubjanës.

Po ashtu ai shihej si një kandidat i mundshëm për Ministrinë e Shëndetësisë megjithatë, raportohet se vendosi të refuzojë ofertën për këtë post.

Ndërsa në 2014, Sholtes fitoi 10.45 për qind të votave duke siguruar për herë të parë një vend si një deputet në Parlamentin Evropian.