Më shumë se 50 pjesëtarë të forcave egjiptiane të sigurisë u vranë në përleshje me militantët islamikë.

Ministria e Brendshme egjiptiane tha se militantët hapën zjarr ndaj forcave të sigurisë, ndërsa këto të fundit po kryenin një operacion ndaj strehës së terroristëve pranë Oazës Baharija në Shkretëtirën perëndimore.

Mësohet se forcat e sigurisë udhëtuan në shkretëtirë pas informacioneve që morën për praninë e një baze të militantëve atje.

Aktualisht, Egjipti po përballet me një revoltë islamike në Sinain verior, por Oaza Baharijas ku ndodhi përleshja e fundit gjendet disa qindra kilometra larg kësaj zone.

Zyrtarë të forcave të sigurisë thanë se karvani i tyre u sulmua nga militantët me armë të rënda, predha dhe bomba. Situata u përkeqësua nga fakti se agresorët e njihnin mjaft mirë zonën dhe për më tepër, forcat e sigurisë nuk mundën të kërkojnë ndihmë nga ajri, për shkak të telekomunikimit të dobët në shkretëtirë.

15 militantë u vranë në përleshjen e radhës që terroristët fitojnë ndaj forcave të sigurisë egjiptiane që prej muajsh nuk po munden të shënojnë sukses në terren ndaj tyre.