Nikolla Gruevski taktizon dhe nuk tregon hapur nëse planifikon të tërhiqet nga posti i liderit të VMRO-DPMNE-së pas humbjes bindëse në zgjedhjet lokale. Në intervistë për televizionin Alfa ai tha se nuk ik nga përgjegjësia, por për ngjarjet në parti paralajmëroi se do të vendos pas raundit të dytë të zgjedhjeve.

Kuptohet se e kam përgjegjësinë më të madhe, por për këtë do të diskutohet pas zgjedhjeve pasi të bëhet një analizë e thellë, me kujdes do të diskutohen të gjitha aspektet dhe më vonë do të veprohet ashtu siç është më së miri për VMRO-DPMNE-në dhe Republikën e Maqedonisë -deklaroi Nikolla Gruevski, kryetarë i VMRO-DPMNE-së.

Gruevski akuzoi se pushteti aktual ka kryer, siç tha, terror të hatashëm, shantazh dhe kërcënime ndaj votuesve dhe se LSDM për blerjen e votave ka shpenzuar 20 milion euro. Megjithatë, sipas liderit të VMRO-DPMNE-së, arsyeja për humbjen është mënyra se si partia e tij e udhëhiqte fushatën. Hoqëm dorë nga identiteti jonë që bazohet në mbrojtjen e interesave nacionale dhe promovuam projektet për jetë më të mirë për qytetarët, tha Gruevski.

Tentuam t’u biem në sy disa të tjerëve dhe këtë nuk e pëlqyen votuesit tanë tradicional. Tentuam t’u biem në sy disa votuesve që tradicionalisht nuk votojnë për ne, duke shikuar në afërsinë që e bëri LSDM-ja, por në sytë e votuesve tanë tradicional kjo nuk ishte e pranuar dhe në një mënyrë ata vendosën të na dënojnë – theksoi Nikolla Gruevski, kryetarë i VMRO-DPMNE-së.

Gruevski lëshoi një sërë akuzash në adresë të LSDM-së, duke thënë se pushteti po tenton ta shkatërojë VMRO-DPMNE-në. Sipas tij mbi 100 persona nga partia e tij ëprfshi edhe kryesinë më të ngushtë janë përgjuar në periudhën e kaluar./alsat-m