Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergej Llavrov u bëri thirrje autoriteteve të Kurdistanit Irakian për dialog me Bagdadin, në mënyrë që të evitohet dukuria e “burimeve të reja të destabilitetit”.

“I kuptojmë synimet e popullit kurd të cilat kanë të bëjnë me përforcimin e identitetit të tyre… Por konsiderojmë se përmbushja e atyre synimeve mund të zbatohet vetëm me anë të dialogut me Qeverinë irakiane”, theksoi Llavrov në konferencën e përbashkët për shtyp me shefin e diplomacisë irakiane, Ibrahim al Xhafari.

Llavrov, gjithashtu, tha se duhet të merret parasysh rëndësia e çështjes kurde në nivel rajonal në mënyrë që të evitohet krijimi i burimeve të tjera të destabilitetit në rajon.

Komisioni zgjedhor i Kurdistanit sot kumtoi se asnjë nga partitë politike në Kurdistanin Irakian nuk propozoi kandidatë, për ç’arsye zgjedhjet për president dhe për Parlamenin rajonal do të shtyhen. Zgjedhjet atëherë duhej të mbaheshin më 1 nëntor, ndërsa afati për parashtrim të listave të kandidatëve ishte vendosur javën e kaluar, e më pas vazhduar deri më sot.