Zëvendëskryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe Sistem Politik, Hazbi Lika, sot priti në takim ambasadorin e Mbretërisë së Holandës në shtetin tonë, Vouter Plomp.

Fillimisht, siç theksohet në kumtesë, bashkëbiseduesit diskutuan rreth procesit parazgjedhor si temë më aktuale në shtet dhe njëkohësisht ambasadori përgëzoi zëvendëskryeministrin Lika për realizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike në një atmosferë kaq konkurrente dhe intensive në Republikën e Maqedonisë.

Në vazhdimësi, Lika theksoi se ekziston mangësi e një skeme të posaçme qeveritare e cila do të mundësojë nxitjen e përmirësimit dhe zhvillimit të marrëdhënieve ndëretnike, me qëllim që në të ardhmen të evitohet faktori i vullnetit politik në përmbushjen e të drejtave të komuniteteve.

“Demokracia gërsheton shume interesa dhe ky shtet është gërshetim interesash. Duhet të angazhohemi që të transformojmë këtë diversitet kulturor në favor të të drejtave të komuniteteve më të vogla në Republikën e Maqedonisë”- ka deklaruar ai.

Paralelisht, bashkëbiseduesit potencuan edhe rëndësinë thelbësore të kohezionit social dhe shtyllave që përmban dhe këtë e dëshmon më së miri edhe përkrahja e vazhdueshme e përfaqësuesve diplomatikë.

Së fundmi, ambasadori  Plomp ka shprehur gatishmëri për mbështetje të pakursyer, njëherësh duke potencuar se kapaciteti i kësaj qeverie ka zgjidhje optimale drejt rrugës euro-atlantike.