Lideri Suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ka thënë sot se Teherani do t’i qëndrojë besnik marrëveshjes bërthamore të vitit 2015 me fuqitë botërore për aq gjatë sa vendet e tjera nënshkruese e respektojnë atë. Megjithatë, ai ka kërcënuar se do ta grisë marrëveshjen nëse Shtetet e Bashkuara e braktisin atë, raporton televizioni shtetëror iranian.

Khamenei i bëri këto komente pesë ditë pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e adaptoi një qasje më të ashpër ndaj Iranit duke refuzuar ta vërtetojë bashkëpunimin në këtë marrëveshje, e cila u arrit gjatë administratës së paraardhësit të Trumpit, Barack Obamas. Madje, Trump ka thënë se SHBA-ja mund t’i japë fund përfundimisht kësaj marrëveshjeje, transmeton Express.

Ky qëndrim i Trumpit e vë Uashingtonin në kundërshtim me palët tjera në këtë marrëveshje – Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Rusinë, Kinën dhe Bashkimin Evropian – të cilat thonë se Uashingtoni nuk mund t’i japë fund në mënyrë të njëanshme një marrëveshjeje multilaterale të mishëruar nga rezoluta e OKB-së.

Khamenei, autoriteti më i lartë i Iranit, e mirëpriti përkrahjen nga këto vende, por tha se nuk është e mjaftueshme.

“Evropa duhet të ngrihet kundër masave praktike të ndërmarra nga Amerika. Nëse Trump e prishë marrëveshjen, atëherë Irani do ta grisë atë”, ka thënë Khamenei.