Drejtori Sportiv i Lazios, Igli Tare, ka treguar se si ka ndërtuar këtë skuadër, e cila është e bukur dhe fituese. Nuk ishin të largëta kohët kur qindra tifozë të Lazios prisnin mes polemikave presidentin Lotito dhe drejtorin sportiv Tare për t’i kërkuar llogari mbi rezultatet negative të ekipit.

Kjo tashmë është arritur falë ish-sulmuesit të Kombëtares shqiptare, Igli Tare, i cili ka ndërtuar një skuadër shumë të fortë, por ai thotë se duhet pritur fundin.

“Duhet të na gjykojnë në një periudhë afatgjatë, pasi do të ketë rëndësi për Lazion vetëm fundi. Pikërisht për këtë është shumë gabim që të ekzaltohemi që tani. Presidenti Lotito i ka idetë e qarta dhe e di se çfarë duhet të bëjë. Është menaxheri më i mirë në Itali për një shoqëri futbolli”, tha Igli Tare.

Shqiptari është konsideruar arkitekti i merkatos së Lazios, duke finalizuar blerje me çmime të ulëta dhe shitje të bujshme.

“Përpiqem gjithmonë të vendos logjikën përpara të gjithave duke zgjedhur futbollistë që mund të japin rezultat në futbollin e sotëm. Atë që blejmë, duhet të mendojmë nëse integrohet me të tjerët apo jo, pasi grupi është përpara individëve” tha drejtori Sportiv i Lazios.