“Lajmet të rreme”, një dukuri që dita ditës po rritet, sidomos në kohën e fushatës zgjedhore, kur aktivistë të partive të ndryshme përdorin lajmet e rreme për të  keqinformuar, apo për të shpërndarë propaganda përmes portaleve të internetit. Nga këshilli për etikë në Media theksojnë se përderisa ka portale që publikojnë lajme të rreme, ka edhe të tjera që i ritransmetojnë të njëjtat, duke u thirrur në ndonjë portal tjetër si burim, apo në ndonjë burim tjetër siç janë rrjetet sociale. Si mënyrë parandalimi Marina Tuneva nga këshilli për etikë përmend vetë rregullimin, ndërsa thekson se lajmet e rreme mund të luftohen në 2 nivele.

“Në dy nivele mund të punohet në drejtim të trajtimit të lajmeve të rreme. Puna me mediat dhe puna me qytetarët. Mediat që mund të ndihmojnë që të largohen dezinformatat e tilla dhe të dëshmojnë se çka do të thotë punë profesionale  dhe kemi aso media  që mund ta ndihmojnë këtë proces dhe puna me qytetarët, të cilëve mund t’u ndihmohet që të dallojnë këto gjëra sa më shumë”, tha Marina Tuneva – Këshilli për etikë në Media.

Tuneva theksoi se me rritjen e numrit të ueb-portaleve që transmetojnë lajme të rreme, ka filluar edhe rritja e vetëdijes së qytetarëve për ekzistimin e lajmeve të tilla dhe me të edhe leximi i këtyre lajmeve me rezerva të caktuara.

Edhe gazetari Xhelal Neziri theksoi se  edhe përkundër asaj se numri i shtuar i portaleve ka ndikuar në demokratizimin më të madh të shoqërisë, dhe ka një laramani të politikave redaktuese, lajmet e rrejshme që paraqiten nëpër portale janë duke ndikuar negativisht në krijimin e opinioneve të shumë lexuesve. Sipas tij, ka pasur raste kur një shtet i huaj ka ndikuar në rezultatet e zgjedhjeve përmes lajmeve të rreme të publikuara në një shtet tjetër.

“Jo vetëm tek ne por edhe në botë, sjellin edhe rrezikun e manipulimit të tyre nëpërmjet etablimit të mediave të rrejshme të internetit, ose lajmeve të rrejshme që gjithandej shkaktojnë probleme. Kemi raste të interferimit të një shteti në zgjedhjet e një shteti tjetër nëpërmjet po këtyre mediave onlajn”, tha XHELAL NEZIRI – GAZETAR

Ndryshe, media me renome botërore si CNN dhe BBC kanë quajtur Maqedoninë si kryeqyteti i lajmeve të rreme, pasi që disa portale që kanë origjinë nga Veles, vlerësohet se kanë ndikuar drejtpërdrejtë në rezultatin e zgjedhjeve të kaluara presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.