Siç u planifikua, nesër do të mbahen zgjedhjet e përsëritura presidenciale në Kenia, njoftoi Komisioni i Zgjedhjeve.

Kumtesa nga Komisioni i Zgjedhjeve vjen pasi sot Gjykata Supreme publikoi se për shkak të mospasjes së kuorumit nuk mund ta shqyrtojë ankesën, e dorëzuar në moment të fundit, me të cilën kërkohet anulim i zgjedhjeve.

Kryetari i Gjykatës Supreme, David Maraga u paraqit vetëm në sallën gjyqësore dhe kumtoi vetëm ai dhe një gjykatës kanë ardhur në seancë. Natën para seancës u qëllua shoferi i njërit nga gjykatësit, që mediat e interpretuan si kanosje për sistemin gjyqësor.

Qindra gra me shami të bardha u mblodhën para ndërtesës së gjykatës, prej nga bënë thirrje për paqe në moment kur tensionet në Kenia janë rritur. Ithtarët e presidentit Uhuru Keniata me gëzim e pritën lajmin se nesër do të mbahen zgjedhjet. Në vende të tjera në Najrobi u mblodhën ithtarët e liderit opozitar Raila Odinga, i cili paralajmëroi se do t’i bojkotoj zgjedhjet.