Mëngjesin e sotëm në mënyrë aksidentale ka ndërruar jetë punëtori i Bechtel Enkas, Tafil Tafallari.

Teksa po punonte në autostradën Prishtinë-Shkup, “Arben Xhaferi”, atë e goditi kamioni i cili barte me vete ujë për punëtorët në pikën e fshatit Kovaqec të Kaçanikut.

Pak më parë rastin e konfirmoi edhe Policia e Kosovës.

“Sot rreth orës 8:30 në mëngjes ngasësi nga pakujdesia, me rrotat e prapme të kamionit ka goditur një punëtor të “Bechtel Enka”, i cili ka pësuar lëndime serioze. Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e punëtorit 41-vjeçar nga lëndimet e marra nga goditja e kamionit. I dyshuari 24-vjeçar me urdhër të Prokurorit të Shtetit është ndaluar për 48 orë, ndërsa trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në institutin e Mjekësisë Ligjore”, u bë e ditur nga Policia.

Identitetin e viktimës e bëri të ditur një tjetër punëtor që punon në të njëjtën kompani, i cili kishte shpërndarë në rrjetin social “Facebook” lajmin për vdekjen e shokut të tij.

Periskopi ka publikuar fotografi të Tafil Tafallarit.