Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot seancën për të përcaktuar nëse do të hiqet mandati i ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Për këtë të fundit Prokuroria ka kërkuar autorizim nga Parlamenti për arrestimin e tij, pasi dyshohet se është pjesë e bandës së Habilajve dhe akuzohet për trafikim të lëndëve narkotike dhe shpërdorim detyre.

Janë dy raporte për të cilat do të votojnë deputetët e Kuvendit, raportet u hartuan nga shumica parlamentare dhe nga opozita, pas debateve dhe diskutimeve në Këshillin e Mandateve, Rregullores dhe Imunitetit, shkruan gazeta Shekulli.

Raporti i parë i hartuar nga mazhoranca kërkon hetimin e plotë dhe kontrollin e banesës së ish-ministrit, ndërsa opozita kërkon arrestimin e Tahirit.

“Shqyrtimi i kërkesës së Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda në Tiranë, e depozituar në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë me shkresën nr. 9906, datë 19.10.2017 “Për dhënien e autorizimit për arrestimin dhe heqjen e lirisë së deputetit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, zotit Saimir Tahiri”, së bashku me relacionin përkatës të arsyetuar (nenet 13, 118 Rregullore, votim me shumicë të thjeshtë). Raporti i Këshillit për Rregulloren Mandatet dhe Imunitetin (rekomandimi i shumicës parlamentare dhe rekomandimi i pakicës parlamentare)”, thuhet në njoftimin e Kuvendi.