Ismail Arsllani

 Vetëm 14 ditë pas hyrjes së aradheve partizane në Tetovë /më 19 nëntor 1944/, më 3 dhjetor 1944, në Tetovë mbahet Konferenca zgjedhore për konstituimin e Këshillit të parë të Tetovës pas Luftës së Dytë Botërore. Partizanët komunistë, të cilët ftuan shqiptarët për çlirimin e vendit nga fashizmi, ku shumë të rinj shqiptarë ranë viktimë në frontin e Sremit, si dhe u pushkatuan pa kurrfarë faji mijëra të tjerë në Tivar dhe në vise të tjera, gjithnjë duke proklamuar drejtësi dhe barabarësi mes popujve, por ndonëse kishin garantuar barazinë me shqiptarët, kjo barazi ishte kuptuar vetëm përmes diktatit të nënshtrimit dhe të diskriminimit. Në Tetovë, bie fjala, ku mbi 70 për qind e popullatës pas lufte ishin shqiptarë, ndërsa vetëm 20 për qind maqedonas dhe 10 për qind të tjerë, komunistët partizanë që propagandonin me të madhe drejtësinë, nuk e panë të arsyeshme të zgjedhin shqiptarë në postet kryesore, në një komunë ku shqiptarët ishin shumicë. Pos në strukturën e Këshillit Nacional-Çlirimtar të Tetovës, ku raporti ishte 50:50 /në pjesën e shqiptarëve ishin edhe turqit e të tjerët/, në nivelet e tjera të pushtetit dhe të administratës, shqiptarët përfaqësoheshin formalisht.

Procesverbali që ishte protokolluar me numrin 1

 Konferenca konstituive, më 3 dhjetor 1944, kishte zgjedhur 30 anëtarë të Këshillit Nacional-Çlirimtar të Tetovës, prej gjithsej 50 sish, sa ishin të deleguar nga konferencat lokale, prej të cilëve 15 ishin shqiptarë e turq. Kështu, Konferenca Nacional-Çlirimtare e sapo formuar kishte zgjedhur kryetarin dhe sekretarin nga radhët e maqedonasve, ndërsa nuk ishte parë e udhës që të zgjidhej asnjë shqiptar.

Ky Këshill Nacional-Çlirimtar i Tetovës prej 30 anëtarësh të zgjedhur nga Konferenca, prej të cilëve gjysma ishin shqiptarë e turq, kishte zgjedhur Këshillin Ekzekutiv prej 12 anëtarësh, që kishte kompetencat e pushtetit në nivel lokal. Kryetari ishte zgjedhur maqedonas, nënkryetari shqiptar /Osman Tetova/, sekretari maqedonas dhe nënsekretari shqiptar /Abduraman Tresi/. Edhe në postet e kryeshefave, maqedonasit mbizotëronin. Prej tetë sektorëve, 5 kryeshefa ishin maqedonas, kurse vetëm 3 shqiptarë.

Nga konstituimi i Këshillit të parë Nacional-Çlirimtar të Tetovës është ruajtur një procesverbal në dorëshkrim, ku jepen të dhëna autentike për rrjedhën e konferencës së parë zgjedhore të mbajtur më 3 dhjetor të vitit 1944 në ndërtesën e Këshillit Nacional-Çlirimtar të Tetovës, ende pa shëruar plagët e krimeve të luftës që ishin bërë ndaj shqiptarëve të pafajshëm e të pambrojtur, sidomos me gjenocidin e paparë që ishte ushtruar në ndërtesën e Monopolit të duhanit në Tetovë, ku në ditën e parë të ardhjes së aradheve partizane në këtë qytet shqiptar, ishin burgosur meshkujt e moshës madhore që kapte shifrën prej mbi 15 mijë sish, ndërsa asnjëherë nuk u mor vesh për numrin e personave të likuiduar.