Deputeti i partisë opozitare greke Demokracia e Re, i angazhuar për politikë të jashtme, Jorgos Kumucakos deklaroi sot se fitorja e LSDM-së në rrethin e parë të zgjedhjeve lokale në Maqedoni paraqet rrjedhë pozitive të ngjarjeve dhe mundësi për përmirësim të mëtutjeshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Vetë fakti që nacionalisti Nikolla Gruevski humbi në zgjedhjet lokale është rrjedhë pozitive e ngjarjeve. Tani në Shkup kemi bashkëbisedues shumë më të sigurtë dhe më produktiv lidhur me çështjen për emrin”, theksoi Kumucakos, duke i komentuar rezultatet nga raundi i parë i zgjedhjeve lokale në Maqedoni.

Ai në intervistë për ANA-MPA, kushtuar vizitës së kryeminsitrit grek, Aleksis Cipras në Uashington, shprehu kënaqësi nga përmirësimi i atmosferës me Maqedoninë për zgjidhjen e kontestit me emrin.

“Greqia do të bëjë gjithçka nevojitet që të zgjidhet kontesti, me çka do të hapet perspektiva euroatlantike për Shkupin”, shtoi Kumucakos.

Ai pret që kontaktet e Ciprasit në SHBA të kontribuojnë me rezultate konkrete për çështje të caktuara të rëndësishme për Greqinë.

“Kjo është një mundësi e artë për Greqinë, e cila si anëtare e NATO-s dhe BE-së, por edhe si vend demokratik është burim i stabilitetit edhe krahas problemeve të brendshme të mëdha”, deklaroi ai.

Kumucakos shtoi se ekspertët e Demorkacisë së Re presin që kryeministri të sigurojë pozicion pozitiv nga SHBA-ja, jo vetëm  për kontestin me Maqedoninë, por edhe për marrëdhëniet me Turqinë, çështjen qipriote dhe çështje të tjera të interesit nacional të vendit.

Cipras sot do të takohet me presidentin amerikan, Donald Tramp.