Inspeksioni në Serbi tërhoqi nga tregu 4,3 tonë nga çokollata me qumësht “Banat”, për shkak të mykut të zbuluar.

Gjatë inspektimit të rregullt në depot e ndërmarrjes “Banat 1894” nga Vërshaci, e cila punon në kuadër të “Suislajon-Takovo”, inspektorët zbuluan myk, për ç’arsye e urdhëruan kompaninë ta tërheqë tërë serinë e çokollatës (me përmbajtje të lartë të qumështit) “Original Banat” në paketim prej 90 gramësh.

“Një pjesë e kësaj serie të çokollatës ‘Banat’ është eksportuar edhe në Maqedoni”, deklaroi Nenad Vujoviq, shef i inspeksionit buqësor i cili e zbuloi këtë parregullsi gjatë kontrollit në depot e ndërmarrjes.

Inspeksioni konstatoi se myku i zbuluar në çokollatë, d.m.th. parregullsia higjienike e prodhimit i referohet periudhës së gjatë të qëndrimit nëpër depo.

Siç qëndron në faqen e kompanisë “Suislajon-Takovo”, çokollata është tërhequr për shkak të lëshimeve të zbuluara lidhur me vlerat referente të caktuara me rregullore.

Kompania në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë i informon konsumatorët të cilët e kanë blerë këtë seri të çokollatës se mundet të njëjtën t’ia kthejnë  prodhuesit për shkak të ndërrimit.

Kompania “Suislajon” është në pronësi të Rodoljub Drashkoviq, i cili fabrikën për çokollata “Banat” nga Vërshaci e bleu vitin e kaluar nga ndërmarrja “Bambi” nga Pozharevci.

Kjo fabrikë në muaj prodhon rreth 2.000 tonë çokollatë, prej të cilave 60 për qind hidhen në tregjet eksportuese, mes të cilave edhe në Maqedoni.

Mediumet në Serbi përkujtojnë se “Suislajon” në nëntor të vitit të kaluar ishte në qendër të skandalit rreth produktit për fëmijë “Juvitana”.